Secondary Adv

Pirateria televizive, AMA: Po rishikojme ligjin, problem transmetimi ne internet

Pirateria televizive vijon të mbetet një nga problematikat që AMA ka raportuar edhe gjatë 2023 duke nënvizuar se po shihen disa modele sesi mund të kufizohet ky fenomen.

 

AMA nënvizon se ndryshimet e propozuara janë të praktikave të ngjashme në vende si Italia, Franca dhe Kroacia.

 

“Sqarojmë se, fenomeni i piraterisë televizive që kryhet nëpërmjet internetit, është një fenomen sa shqetësues aq dhe i komplikuar për t’u identifikuar, për arsye se në shumicën e rasteve produkti audioviziv që transmetohet abuzivisht, vjen nga servera të vendeve të ndryshme të botës dhe nuk janë të pozicionuara në territorin e Republikës së Shqipërisë.

 

Për këtë arsye, identifikimi i tyre bëhet shumë i vështirë. Megjithatë, AMA, për vitin 2023 ka filluar një proces për ndryshime ligjore që forcojnë tagrin e institucionit në lidhje me ndërhyrjet e mundshme, që do të ndihmonin në reduktimin e këtij fenomeni shqetësues.

 

Ndryshimet e propozuara janë bërë pas shqyrtimit të praktikave të ngjashme ligjore italiane, kroate dhe franceze” thuhet në raportin vjetor të 2023 të AMA-s.

 

Ky institucion përveç piraterisë televizive vlerëson se një fenomen shqetësues është ai i transmetimit të produktit audiovizv në internet. Kjo vihet re më së shumti për filma artistik dhe evente sportive pa nt3ë drejta.

 

“Ndërkohë, një fenomen i ri që po haset në këtë periudhë është shtimi i numrit të operatorëve piratë që transmetojnë nëpërmjet internetit produkt audioviziv pa autorizim të AMA-s, kryesisht filma artistik dhe evente sportive pa të drejta.

 

Për këtë fenomen, AMA, ka përcjellë pranë AKEP-it 28 praktika zyrtare, me qëllim marrjen e masave, për mbylljen e 128 faqeve online, të cilat kryenin shkelje të ligjit 97/2013, i ndryshuar.

 

Gjithashtu, lidhur me këtë fenomen, Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes i ka kërkuar aplikacioneve dhe Video Sharing Platforms (VSP-ve-platforma te ndarjes se videove) të ndryshme, heqjen nga llogaritë e tyre të 19 linq-eve, të cilët transmetonin produkt audioviziv pa të drejta transmetimi” nënvizon raporti.

 

AMA sjell në vëmendje se në lidhje me veprimtarinë inspektuese, Drejtoria e Mbikëqyrjes në AMA, gjatë vitit 2023, përmes grupeve të veta të inspektimit, ka ushtruar 332 kontrolle të aktivitetit të OSHMA-ve.

 

Nga këto, 168 janë inspektime të kryera në bazë të ankesave dhe 164 janë kryesisht monitorime./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/pirateria-televizive-ama-po-rishikojme-ligjin-problem-transmetimi-ne-internet/


Më të lexuarat